“3 pikëshi në tavolinë, në pikëpyetje”

15/10/2014 00:00

Një ditë pas dhunës së ushtruar ndaj kombëtares shqiptare në stadiumin e Beogradit, të gjithë sytë janë drejtuar tek Komisioni i Disiplinës së UEFA-s, i cili pritet të marrë vendimin rreth asaj që ndodhi në Serbi.

Delegati i Federatës Spanjolle dhe ish-sekretari i Federatës Shqiptare të Futbollit, Eduart Dervishi, shprehehet për Top Channel se Federata Serbe është fajtorja kryesore për atë që ndodhi në fushën e stadiumit të Partizanit.

“Nga eksperienca ime, mendoj që situata ishte shumë e favorshme për ne. Dihet që pala serbe ka mangësi të jashtëzakonshme në organizimin e ndeshjeve. U pa që janë futur civilë duke goditur sportistët. Rregullorja thotë që kur braktiset ndeshja për këto arsye, nuk diskutohet marrja e 3 pikëve në tavolinë nga njëra palë”, shpjegon Dervishi.

Megjithë koret raciste në stadium gjatë himnit dhe lojës,  hyrjen e tifozëve në fushë, goditjet ndaj lojtarëve tanë me sende të forta, fitorja në tavolinë e ndeshjes ende nuk është e sigurtë. Rregulloret e UEFA-s shpesh lënë hapësira për interpretime të ndryshme, por gjithçka do të varet nga raporti i delegatëve.

“Nëse në dhomat e zhveshjes, arbitri, delegati dhe autoritetet vendase kanë marrë vendimin që loja të vazhdojë dhe ne e kemi refuzuar, ky është një element kundër nesh”, theksoi Dervishi.

Kapiteni Lorik Cana e shpjegoi kështu bashkëbisedimin me delegatin në dhomat e zhveshjes: “Ata na pyetën nëse ne ishim në gjendje të vazhdonim lojën nëse do e boshatisnin stadiumin. Duke parë rrethanat, ishte e pamundur që të ktheheshim. Ata na pyetën, nuk na thanë që duhet të vazhdonim lojën. Ne unanimisht u përgjigjëm që nuk jemi në gjendje.”

Dervishi shtoi më tej: “Nëse skuadra jonë ka refuzuar, ka pasur arsye dhe këto arsye i panë të gjithë. Kishte një pasiguri shumë të madhe në stadium. Situata është shumë komplekse. Edhe pse ka shumë elementë në favorin tonë, nuk do të thotë që i kemi të sigurta 3 pikët. Nëse delegati fut në raport që ne kemi refuzuar të dalim, kjo nuk është në favorin tonë.

UEFA ka nisur një hetim për gjithçka ka ndodhur në mbrëmjen e kaluar në Beograd dhe i ka lënë afat prej 7 ditësh dy federatave për të sjellë ankesat e tyre deri më 23 tetor, kur do merret vendimi për fatin e ndeshjes.

Top Channel