PD: Serbët nuk shkëputen nga ekstremizmi

15/10/2014 00:00

Partia Demokratike ka reaguar zyrtarisht pas incidentit të rëndë në
ndeshjen mes kombëtares serbe dhe asaj shqiptare duke e cilësuar
sjelljen e tifozëve serbë si krejtësisht të turpshme.

Përmes një deklarate nga selia blu deputeti demokrat Aldo Bumçi kërkoi nga autoritet serbe që të reagojnë në mënyrën e duhur lidhur me ngjarjen e turpshme të shënuar mbrëmjen e djeshme në stadiumin e Beogradit.

Sipas deputetit demokrat, mungesa e respektit ndaj kombëtares shqiptare u tregua që në nisje të ndeshjes me këndimin e himnit për të vijuar më tej me thirrjet raciste antishqiptare dhe dhunën e ushtruar ndaj futbollistëve të kombëtares.

“Që në nisje, u tregua mosrespekt për himin tonë kombëtar nga tifozeria serbe, u mbajtën kore raciste, dhe u manifestuan akte dhune ndaj përfaqësueses shqiptare.Eshtë për të ardhur keq që një ndeshje futbolli, e luajtur nga ana jonë me sportivitet, me fair-play dhe korrektësi maksimale, serbët e pranishëm në stadium e kthyen në një arene të betejës politike me djegien e flamurit të NATOS-s, e me lëshimin e mesazheve ksenofobe përmes thirrjeve anti-shqiptare. I kërkojmë Beogradit të distancohet nga ekstremizmi i shfaqur dhe të japë mesazhet e duhura për bashkëpunim, për fqinjësi të mirë, e për të ecur përpara në rrugën e integrimit europian”, tha Bumçi.

Top Channel