Tare: Tension i lartë, situatë jashtë kontrollit

15/10/2014 00:00

Igli Tare, drejtori sportiv i Lazios, skuadrës italiane ku militojnë dy lojtarë të kombëtares shqiptare (Cana dhe Berisha) dhe një i kombëtares serbe (Djordjeviç), deklaroi për Ansën se gjithçka doli jashtë kontrollit në ndeshjen Serbi-Shqipëri, takim që u ndërpre për shkak të hyrjes së tifozëve serbë në fushë dhe dhunimit të lojtarëve kuqezinj.

“Më vjen keq që nuk fitoi sporti. Ishte një ndeshje shumë e ndjerë. Gjëja më e rëndësishme është që duhej të ishte sporti ai që duhet të bashkonte këto dy vende, por kjo gjë fatkeqësisht nuk ndodhi”, theksoi ish-sulmuesi i kombëtares sonë.

Tare, i cili ishte i pranishëm në stadium, shtoi: “Ndodhi gjithçka, shumë njerëz në tribunë kërcënonin, por kishte edhe shumë që na mbrojtën. Kaluam 15 minuta tensioni. Ishte një situatë e rrezikshme, por unë isha me disa miq serbë dhe u ktheva i qetë në hotel.”

“Nuk më pëlqeu ajo që pashë. Shpresoja që në vitin 2014 serbët dhe shqiptarët të luanin një ndeshje nga fillimi në fund. Por, më pëlqeu shumë korrektësia e lojtarëve serbë”, nënvizoi Igli Tare.

Top Channel