Koçijançiç: Keqardhje për dhunën

15/10/2014 00:00

Zëdhënësja e Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Europian shprehu
keqardhjen për pushimin e ndeshjes Shqipëri -Serbi, `si pasojë e
veprimit provokues`, cilësoi Maja Koçijançiç, duke përgëzuar autoritetet
policore vendase.

Ajo përgënjeshtroi mediat serbe për përfshirjen e ambasadorit të BE-së dhe u bëri thirrje politikanëve të të dy vendeve që të vijojnë bashkëpunimin rajonal, pavarësisht incidentit që ndodhi në stadiumin e Beogradit.

“Jemi të zhgënjyer nga pushimi i djeshëm, pas një akti provokues, i ndeshjes së futbollit Serbi-Shqipëri. Autoritetet serbe treguan profesionalizëm për trajtimin e situatës. Ne hedhim poshtë sugjerimet e pjesshme të medias serbe për ndonjë rol të BE-së për këtë. Konsiderojmë se politika nuk duhet të drejtohet nga provokimet e stadiumit. Ne nënvizojmë rëndësinë e bashkëpunimit rajonal dhe mirëpresim vizitën e planifikuar të Kryeministrit Rama në Serbi”, thotë Koçijançiç.

Në stadiumin e Beogradit përveç thirrjeve kundër shqiptarëve, policia serbe nuk mundi as të garantojë që futbollistët shqiptarë të mos prekeshin fizikisht. Për ironi, qëndrimi shokues i BE-së vjen një ditë pas firmosjes së marrëveshjes 3-vjeçare të bashkëpunimit mes Komisionit Europian dhe UEFA, për promovimin e vlerave të përbashkëta të sportit, kundër racizmit, ksenofobisë, diskriminimit e dhunës.

Pergatiti ARTA TOZAJ

Top Channel