Mediat britanike: Futbolli në luftë

15/10/2014 00:00

Të gjitha gazetat britanike i kanë kushtuar artikuj të veçantë zhvillimit që mori ndeshja midis Serbisë dhe Shqipërisë.

“Futbolli në luftë”, ky është titulli që ka zgjedhur tabloidi më i madh britanik “The Sun”, ku theksohet se arbitri anglez Martin Atkinson dhe lojtari i Çelsit, Branislav Ivanoviç, u ndodhën në qendër të kaosit, pasi dy lojtarët serbë, Ivanoviç dhe Mitroviç, rrëmbyen një baner me flamurin shqiptar.

Ndërsa “The Guardian” ka si titull “Serbia pritet të ketë sanksione, pas sherrit që ndërpreu ndeshjen”.

Dueli në fushën e blertë, shkruan “The Guardian”, mes Serbisë dhe Shqipërisë, ndodhte pas vitit 1967 dhe ishte tejet delikat, pas tensionesh të gjata me Kosovën, e cila shpalli Pavarësinë nga Serbia në vitin 2008.

I gjithë shkrimi i “The Guardian” përqëndrohet në “betejën” për ta poseduar flamurin shqiptar, i ulur në fushë nga një minihelikopter i telekomanduar.

“The Guardian” nënvizon faktin se “futbollistët kuqezi, teksa po hynin në tunelin që do t’i çonte në dhomat e zhveshjes, u goditën nga tifozët me sende të ndryshme, ndërsa njëri prej tyre tentoi të godasë një lojtar shqiptar”.

Ndërsa “The Indipendent” ka zgjedhur si titull “Dhunë, teksa Shqipëria e Serbia takoheshin në fushë që prej 1967-s”.

“Një ndeshje futbolli me tone të forta politike mes Serbisë dhe Shqipërisë u ndërpre, pasi një flamur u lëshua në stadium duke shkaktuar invazionin e tifozëve në fushë, duke detyruar arbitrin të ndërpresë ndeshjen”, thekson “The Indipendent”.

Top Channel