Kombëtarja kthehet në atdhe

15/10/2014 00:00

Rreth orës 03:25 minuta të mëngjesit të së mërkurës ka mbërritur në aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza” të Rinasit avioni me lojtarët dhe të gjithë stafin e Kombëtares shqiptare.

Edhe pse orari ishte totalisht i papërshtatshëm, një surprizë mjaft e bukur i priste lojtarët kuqezi: me mijëra persona, më shumë se çdo herë tjetër, kishin dalë në pritje të tyre.

Presidenti i FSHF-së Duka, trajneri De Biasi dhe kapiteni Cana folën për mediat në aeroport.

“Mezi e kemi pritur dhe me shumë gëzim momentin e mbërritjes së skuadrës në vendin tonë, për t’i dhënë në emër të qeverisë shqiptare por edhe popullit shqiptar, mirënjohjen dhe falënderimin për krenarinë që na kanë dhënë sot me një lojë dinjitoze. Një lojë dinjitoze futbolli të papërfunduar, por jo pa fitues. Se kush ishte fituesi, mjafton të dalim 10 metra përpara aeroportit “Nënë Tereza” dhe do të shohim mijëra tifozë, që sot po gëzojnë deri në orët e para të mëngjesit”, u shpreh zëvendëskryeministri Niko Peleshi, në konferencën për shtyp nga salla VIP e aeroportit.

“Padyshim që i pritëm me shumë krenari dhe me emocion të posaçëm këta heronj të ditës, kështu do t’i quaja, padyshim të vlerave të vërteta të sportit. Mirënjohje për gjithë çfarë treguan në stadiumin e Beogradit. Sigurisht një epërsi në lojë, në ato 40 minuta që u luajt një lojë futbolli, por padyshim edhe qytetari nga fillimi në fund, atë që populli shqiptar kërkon të sjellë si një faktor i rëndësishëm i paqes dhe i mirëkuptimit në rajon”, deklaroi ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla.

“Nuk më duket se ka fituar ndonjë gjë të madhe, ajo që duhet të fitonte: loja e futbollit. Dhe këtë dëm futbollit nuk ia kemi bërë ne. Ne respektuam gjithçka të rregullave që kërkon loja, të asaj që gjithë këta futbollistë që ishin atje e dashurojnë aq shumë e për të cilin shkuan, shkuan për të përfaqësuar kombin e tyre, por ishin ata që e dhunuan dhe e dëmtuan shumë lojën në Beograd. Më vjen keq që nuk arritëm të përfundonim 90 minutat e ndeshjes në ato kushte, më vjen keq që nuk iu dhuruam ndoshta më shumë, sepse këta njerëz që kanë ardhur sot në aeroport meritojnë shumë më shumë se sa kaq. Por, më besoni që ka qenë e pamundur”, tha presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka.

“Jam shumë i lumtur që tifozët tanë janë krenarë dhe të entuziazmuar, që ne e mbajtëm flamurin kuqezi lart”, tha shkurtimisht trajneri italian i kuqezinjve, Gianni de Biasi.

“U mblodhëm bashkë me presidentin dhe delegatët e UEFA-s, me delegatin e sigurisë në Federatën Serbe dhe ne dy kapitenët dhe ne, në mënyrë unanime, së bashku me të gjithë lojtarët vendosëm që në atë situatë, në ato kushte, me atë gjendje fizike të disa lojtarëve, të cilët ishin dëmtuar në fytyrë, por edhe nga gjendja morale, sigurisht edhe siguria në stadium, e cila nuk ishte e duhura për një përfaqësim të të dy vendeve, loja nuk mund të vazhdonte më tej. Besoj se gjatë atyre 40 minutave kemi mundur të luajmë me kokën lart dhe në një nivel shumë të mirë. Edhe në momente të vështirë kemi qëndruar sërish me kokën lart. Më pas besoj se u kemi treguar jo vetëm fqinjëve, por të gjithëve, se si duhet të ecim të bashkuar si vend dhe si popull, me kokën lart dhe me krenari”, u shpreh kapiteni Lorik Cana.

Top Channel