Takohen ish-futbollistët jugosllavë

14/10/2014 00:00

Për Agimin dhe Zlatkon, dy ish-futbollistë, i pari i ati i Lorik Canës, ndeshja Serbi-Shqipëri nuk ka qenë një tension dhe humbje.

Ata janë takuar për herë të parë, në hotelin ku qëndron kombëtarja serbe, pas 28 vitesh. Agim Cana, për të mbështetur të birin dhe Shqipërinë, kurse Zlatko do të bëjë tifo për Serbinë. Por, ata kanë qenë miq si ish-futbollistë jugosllavë dhe kanë qenë më pas pjesë e një ekipi në ligën turke.

“Pavarësisht gjithçkaje, ne sonte jemi kundërshtarë gjatë ndeshjes. Për 90 minuta do jemi kundërshtarë, ndërsa para dhe pas ndeshjes do të takohemi dhe do të mbetemi miq”, shprehet Agim Cana, ish-futbollist, babai i Lorik Canës.

“Ekzistojnë tensionet, por kur të fillojë ndeshja, terreni është matës dhe jo tensionet. Ata që janë më të mirët duan të fitojnë. Ne jemi miq, ka njerëz të mirë dhe të këqinj, dhe këtu përfundon gjithçka”, deklaron Zlatko Krmpotiç, ish-kapiten i Crvena Zvezdës.

Ata të dy thonë se futbolli është një sport i bukur dhe që duhet luajtur për cilësi dhe jo për politikë. Pavarësisht ngjarjeve, miqësia e tyre nuk thyhet.

Top Channel