Kosovarët: Duam fitore

14/10/2014 00:00

Në Kosovë pritet me entuziazëm ndeshja e Shqipërisë kundër Serbisë, në Beograd. Edhe pse simbolet kuqezi mungonin në sheshet e kryeqytetit, paraditen e së martës, shumë qytetarë shprehen se ndeshja e kombëtarës kundër Serbisë, për shqiptarët e Kosovës është një takim që duhet të fitohet.

“Për ne është një ndeshje historike, që ka vlera të mëdha të ndeshemi me një shtet që nuk pranon shtetësinë tonë dhe ka ushtruar dhunë ndaj nesh”, shprehet Abaz Kosumi, qytetar i Prishtinës.

“Kjo ndeshje, si për mua edhe për gjithë qytetarët e Kosovës, është tepër tërheqëse, e madhe dhe shpresojmë që do të fitojë Shqipëria patjetër”, thotë Arjeta Kurteshi, qytetare.

“Ndryshe nga gjithë ndeshjet e tjera, fitorja kundër Serbisë është njësoj si të fitonim kampionatin. Uroj që ta fitojmë këtë ndeshje dhe normal që do të gëzohemi”, tha Laurent Meka.

“Shpresoj që të fitojë kombëtarja shqiptare, ndoshta 2-1. Por mbi të gjitha shpresoj që të mos ketë probleme e incidente”, uron Kadrie Hyseni, qytetare.

“Si çdo shqiptar tjetër, do ta ndjek me emocion edhe unë. Me aq sa kemi mundësi do t’i mbështesim. Edhe pse do të ishte mirë të ishim në Beograd, shpresoj që këtu në Prishtinë do të jetë një atmosferë shumë e mirë”, thotë Dona Zogjani, nxënëse.

“Fitorja ndaj tyre jo vetëm do na gëzojë, por do të na japë edhe moral”, deklaron Ard Mejdiu, nxënës.

“Kemi qejf vetëm të fitojmë në këtë takim. Edhe barazimi është rezultat i mirë, por për ne rëndësi ka fitorja”, thotë Lum Sadiku, qytetar.

Komuna e Prishtinës, Digitalb, dhe Tifozët KuqeZi kanë vendosur një ekran të madh në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë, duke mundësuar kështu për të gjithë ata që nuk iu lejua të udhëtojnë në Beograd, përjetimin e emocioneve të tifozërisë për ngjyrat kuqezi.

Top Channel