Argjentina, “stërvitje” me Hong Kongun

14/10/2014 00:00

Argjentina nuk ka treguar aspak mëshirë ndaj Hong Kongut, në miqësoren e zhvilluar mes tyre, duke e mposhtur 7-0.

Në qytetin-port të Kinës, avantazhin për “Albicelestet” e Gerardo “Tata” Martinos e ka sigluar Banega, ndërsa rezultati është thelluar pas dygolëshave të Gaitan, Messit dhe Higuain.

“El Pipita” ka arritur më në fund të zhbllokohet e të shënojë për kombëtaren e tij, gjë që nuk e bënte prej çerekfinaleve të Botërorit të luajtur verën e këtij viti.

Një shqetësim i vogël për Leo Messin. Rreth minutës së 70, një tifoz arrin të hyjë në fushë me fanelën e Argjentinës, duke shmangur kështu kontrollet e rrepta të policisë kineze, vetëm e vetëm për të vrapuar drejt idhullit të tij “pleshtit”, me një stilolaps në duar.

Leo e pret miqësisht dhe i lë një autograf në fanelë, përpara se sa të ndërhynin forcat e rendit për ta larguar nga fusha.

Top Channel