Jules Bianchi, i ati: Situatë dëshpëruese!

14/10/2014 00:00

Shpresa vdes e fundit, një shprehje shumë kuptimplotë që përshtatet më së miri me situatën që po kalon Jules Bianchi, piloti i Marussias në Formula 1, i cili po lufton ende me vdekjen në një krevat spitali, pas incidentit të tmerrshëm të së dielës së 5 Tetorit, në Suzuka të Japonisë.

E megjithatë, babai Philippe nuk dorëzohet kurrë. “Djali im do ta fitojë garën e jetës së tij. Situata deri më tani është dëshpëruese, çdo telefonatë më bën të dridhem. Kam frikë se mos më vjen nga spitali. Por ai nuk po dorëzohet, doktorët na kanë thënë se kjo gjë është një mrekulli: askush nuk i ka mbijetuar një incidenti kaq të rëndë”.

Më pas vjen edhe shpërthimi i pashmangshëm. “Po kalojmë një moment shumë të vështirë. Jeta e familjes sonë është shkatërruar brenda 1 jave. Çfarë të bëjmë, si t’ia bëjmë këtu, larg të gjithëve. Jetojmë në një ferr. Ndoshta kur Jules të jetë më mirë mund të çlirohemi, ndoshta mund të transferohemi në Tokio, pasi kështu mund ta kemi më të lehtë… Por, nuk i dihet se kur mund të ndodhë kjo. Nuk kemi asnjë garanci, na duhet vetëm të presim”, kanë qenë këto fjalët e të atit të Jules, cituar nga “Gazzetta dello Sport”.

Më pas i referohet edhe rastit të Schumacherit. “U ndieva keq kur u dëmtua. Edhe unë, si gjithë të tjerët, pyesja veten përse nuk flasin mbi gjendjen e tij. Por tashmë që më ndodhi mua kjo fatkeqësi, i kuptoj heshtjet. Të gjithë më pyesin si është Jules, por nuk mundem t’u jap një përgjigje. Është shumë rëndë, por gjendja është e qëndrueshme. Një ditë duket më mirë, dita tjetër bëhet më keq. Mjekët nuk flasin fare, dëmi i pësuar nga përplasja është tepër i madh, por nuk e dinë se si do të shkohet më tej. Schumacherit iu deshën muaj përpara se të dilte nga koma, por shpresoj që të them edhe unë fjalët e Jean Todt, kur shprehej se ‘shpreson që një ditë të ketë një jetë thuajse normale’”, vijoi deklaratën e tij i ati Philippe.

Sa i përket incidentit: “Nuk është momenti të flasim për këtë. Videon nuk e kam parë dhe nuk dua ta shoh. Do të çmendesha fare. Për momentin ka rëndësi vetëm Jules, duhet të gjejmë të gjitha energjitë për t’i qëndruar pranë, ta bëjmë të ndiejë se jemi këtu dhe duam ta marrim sërish në shtëpi”.

Top Channel