Kushta, në Beograd pas 27 vitesh

13/10/2014 00:00

Nga të paktat gjëra të bukura, që mbajmë mend dhe që na lidhin me Beogradin, është goli i Sokol Kushtës, i cili në vitin 1987 tronditi kryeqytetin e Serbisë, duke i dhënë mundësinë Flamurtarit të tij të merrte një fitore historike.

Kanë kaluar rreth 27 vite dhe ai mbërrin tashmë me përfaqësuesen kuqezi, për një tjetër ndeshje edhe më të rëndësishme, atë mes kombëtares sonë dhe Serbisë, e vlefshme për kualifikueset e Europianit “Francë 2016”.

Ajo që e zbeh më tepër situatën dhe që do të ndikojë te ne në këtë ndeshje, sipas tij, është mungesa e tifozerisë, pasi stadiumin Sokol Kushta e njeh shumë mirë.

“Çështja e fushës, që ke përballë një kundërshtar shumë të fortë, por edhe çështja e stadiumit ku përfshihen tifozët, pasi këta të fundit luajnë rolin e atij që quhet ‘lojtari i 12’. Këtë gjë Partizani i Beogradit e kishte. Ai është një stadium i mbyllur dhe me tifozë shumë të zjarrtë, gjë që është pozitive për ata dhe negative për ne”, shprehet Sokol Kushta, ish-futbollist i Flamurtarit.

Dhe pavarësisht gjithçkaje, Kushta uron që kjo përballje të mbetet në histori dhe, për t’u kthyer në historike duhet medoemos një fitore.

“Dëshiroj që të bëhet një ndeshje e bukur, larg çështjeve politike. Nuk e di përse duhet të ishte rruga me policë. Nuk e shoh të arsyeshme, sepse nuk jemi në luftë. Sporti është paqe, sporti bashkon popuj, por që vlerat sportive të marrin vlerë kjo gjë ndodh vetëm kur fiton. Megjithatë, unë do të jem shumë i kënaqur edhe me barazim”, deklaron ish-futbollisti i kombëtares, Sokol Kushta.

Top Channel