“Plisat” do të shkojnë në Serbi

13/10/2014 00:00

Udhëheqësi i grupit të tifozëve “Plisat”, Albert Kastrati, është i vendosur që të martën të udhëtojë drejt Serbisë bashkë me 100 tifozë të tjerë nga Kosova, për të mbështetur kombëtaren shqiptare të futbollit.

Edhe pse mediat serbe e cilësuan ditëve të fundit si terroristi i UÇK-së, që do të shkojë në Beograd për të mbështetur Shqipërinë, Kastrati ka thënë se nuk ndihet i frikësuar për të udhëtuar në Serbi.

“Po më kanë paraqitur si terrorist, por unë kam luftuar për vendin tim. Nuk jam pishman pse kam luftuar për vendin tim. Nëse për këtë ata më quajnë terrorist, unë e mbaj me krenari këtë emër”, tha Albert Kastrati, lider i tifozëve “Plisat”.

Ai ka treguar për Top Channel se tanimë tifozë të “Plisave” kanë mbërritur në Beograd dhe kanë porositur bluza të dizenjuara enkas për ndeshjen e së martës.

“Përgatitjet i kemi bërë dhe mendojmë të shkojmë atje. Disa nga njerëzit tanë kanë shkuar qysh dje, ndërsa ne shkojmë nesër në ora 10. Nëse bashkohemi atje do të hyjmë në stadium, por nëse nuk bashkohemi kemi disa plane të tjera. Biletat i kemi të siguruara”, tha Albert Kastrati.

Lideri i “Plisave” është i bindur se Shqipëria do ta mundë Serbinë në ndeshjen e së martës.

“…sepse djemtë tanë do të luajnë me shumë zemër atje”, deklaroi Kastrati.

Të zhgënjyer për pamundësinë për të qenë prezent në Beograd, për t’i dhënë mbështetje kombëtares shqiptare, kanë mbetur edhe rreth 200 tifozë të tjerë nga Kosova, që kishin rezervuar biletat përmes grupit të “Tifozëve KuqeZi”.

Petrit Osmani, nga “Tifozët KuqeZi”, ka thënë se do ta respektojnë vendimin e Federatës Shqiptare, pasi sipas tij kuqezinjtë ose shkojnë të gjithë, ose asnjë.

“Ne nuk kemi pranuar të shkojmë në mënyrë të pjesshme. Ne si Tifoza KuqeZinj, që kemi shtrirje në të gjitha trojet e Shqipërisë etnike, mendojmë se përfaqësimi i tifozëve shqiptarë në Beograd duhet të jetë pa kushte dhe duhet të jenë ose të gjithë, ose asnjë”, tha Petrit Osmani, Tifozët KuqeZi.

Tifozët KuqeZi, megjithatë, kanë vendosur që përfaqësuesen shqiptare ta ndjekin në mënyrë të organizuar në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë, përmes monitorëve gjigantë me mbështetjen e “Digitalb”.

Top Channel