Rooney shpëton Anglinë, Spanja i rikthehet fitores

12/10/2014 00:00

Kombëtarja e Anglisë arriti fitoren e tretë në po kaq ndeshje në eliminatoret e Euro 2016, por këtë herë marrje e 3 pikëve u bë e vështirë.

Kombëtarja e “Tre Luanëve” udhëtoi për në Estoni ku luajti ndaj vendasve, të cilët u paraqitën mjaft mirë. Edhe pse u ndëshkuan me një karton të kuq, estonezët rezistuan pa pësuar gol deri në minutën e 74-t, atëherë kur kapiteni Wayne Rooney i dha fitoren Anglisë, falë një goli të shënuar nga goditja e dënimit.

Surprizën e kësaj mbrëmjeje e bëri Moldavia, e cila arriti të marrë një pikë në fushën e vështirë të Rusisë. Edhe pse të besuarit e italianit Capello arritën të kalonin të parët në avantazh, nuk mundën të siguronin fitoren, pasi Moldavia barazoi rezultatin vetëm pas 60 sekondash me anë të Epureanu.

Spanja i rikthehet fitores pas humbjes me Sllovakinë. Kundër modestëve të Luksemburgut, skuadra e drejtuar nga Del Bosque arriti një fitore të lehtë 4-0. Golat për spanjollët u shënuan nga David Silva, Alcacer, Diego Costa dhe Bernat.

Sllovakia vazhdon të mbajë kreun e grupit C (+3 nga Spanja) me pikë të plota pas fitores 3-1 në Bjellorusi.

Vjen fitorja e parë në grupin G për Suedinë. Ende pa Ibrahimoviçin, nordikët arritën një fitore të pastër 2-0 ndaj Lihtenshtejnit.

Top Channel