Cana: Barazimi, rezultat i drejtë

11/10/2014 00:00

Kapiteni i kombëtares sonë, Lorik Cana, deklaroi pas ndeshjes ndaj Danimarkës se Shqipëria e meritoi barazimin. Mbrojtësi theksoi se ndihet zhgënjim për mosmarrjen e tre pikëve, por në të njëjtën kohë theksoi se kuqezinjtë mund të humbnin ndeshjen në minutën e fundit.

“Loja shkoi siç e kishim përgatitur. Nuk i lamë hapësira kundërshtarit dhe u përpoqëm të dilnim në kundërsulm. Në pjesën e parë eci mirë, ndërsa në pjesën e dytë ata luajtën me 4 sulmues dhe u ndje lodhja tek ne. Duhet edhe pak fat në këto raste. Dhamë maksimumin, por nuk kemi çfarë t’i kritikojmë lojtarëve”, theksoi Cana në mikrofonin e Supersport.

“Vibe (autori i golit të barazimit) na krijoi shumë vështirësi pas hyrjes në fushë. Jemi të zhgënjyer paksa pasi kërkonim tre pikët për tifozët, por mendoj që ishte një rezultat i drejtë. Mund të kishim pësuar golin e dytë në fund”, shtoi kapiteni.

Në lidhje me ndeshjen e ardhshme në Serbi, Cana deklaroi: “Do ishte më mirë të shkonim me 6 pikë në Beograd. Kemi disa probleme fizike, por kemi kohë të përgatitemi për këtë sfidë të vështirë. Duhet të tregojmë forcën tonë dhe të shfrytëzojmë rastet që na jepen.”
 

Top Channel