Aksidenti i Bianchit, FIA nuk kërkon falje

10/10/2014 00:00

Nëpërmjet një konference shtypi ku mungonte autokritika, Federata Ndërkombëtare e Automobilizmit (FIA) e përfaqësuar nga Jean Todt dhe Charlie Whiting (drejtor gare) dha shpjegime për aksidentin e rëndë që pësoi Jules Bianchi në Cmimin e Madh të Japonisë.

Whiting theksoi se nëse do të përsëriteshin rrethana të tilla, ai do të merrte sërish të njëjtat vendime duke argumentuar se pati një zinxhir rrethanash të mbrapshta që çuan në atë aksident. Drejtori i Garës fajësoi edhe vetë pilotin që tashmë ndodhet në gjendje kome në spitalin e Jokaiçit.

“Nuk ishin kushtet për të dërguar në pistë Safety Car pas aksidentit të Sutilit dhe daljes së traktorit që merr makinat e aksidentuara. Traktorët kanë 20 vite që punojnë nëpër Cmime të Mëdha me efikasitet. Nën regjimin e dy flamujve të verdhë, Bianchi po ecte vetëm 3 km/h më ngadalë në krahasim me xhiron paraardhëse”, shpjegoi Whiting.

FIA sqaroi gjithashtu se nëse nuk do të ishte përplasur me traktorin, Bianchi do të ishte përplasur po aq dhunshëm me barrierat mbrojtëse.

Top Channel