Rusi, shorti për Kualifikueset 2018 në “Konstantinovsky”

10/10/2014 00:00

Pallati ikonik Konstantinovsky, në Shën Pjetërburg, do të sigurojë gjithçka në perfeksion për eventin e parë zyrtar të Botërorit të futbollit “Rusi 2018”; shorti për kualifikueset që do të hidhet më 25 Korrik të vitit 2015.

Shorti i kualifikueseve ilustron në mënyrë të përkryer fuqinë unike të një Botërori, për t’i bashkuar njerëzit nga mbarë bota së bashku. Delegatët e federatave të vendeve anëtare nga të gjashta konfederatat, rreth 800 përfaqësues mediash dhe një audiencë prej rreth 2000 njerëzish, përfshi këtu edhe figura udhëheqësish botërorë të politikës, sportit dhe shoubiznesit, priten të marrin pjesë në show-n që do të tërheqë miliona vëzhgues nga e gjithë bota.

“Jemi shumë të lumtur që FIFA mbështeti idenë e zhvillimit të shortit të eliminatoreve të vitit 2015 në Pallatin Konstantinovsky”, tha Vitaly Mutko, kreu i Komitetit organizativ Lokal për Botërorin “Rusi 2018”.

“Pallati Kombëtar është një kompleks i mrekullueshëm artitekturor i shekullit të XVIII (18) dhe simbolizon traditat e pasura kulturore të vendit tonë. Do të jetë një prezantim i madh me Rusinë për federatat kombëtare, të ftuarit, bashkëpunëtorët komercialë dhe shikuesit televizivë nga e gjithë bota”.

Nga shorti do të përcaktohen se cilat ekipe do të ndeshen me njëra-tjetrën në secilën prej zonave kontinentale, për një nga 31 vendet e disponueshme për Botërorin e Rusisë, i cili do të zhvillohet në 11 qytete pritëse dhe 12 stadiume, duke nisur nga muaji Qershor i vitit 2018.

Përgjatë historisë së tij 300-vjeçare, Pallati Konstantinovsky ka organizuar disa prej eventeve më të mëdha në Rusi. Ai ndodhet në brigjet e gjirit të Finlandës, i rrethuar nga parqe dhe uji.

Top Channel