Bjellorusi, ndalohen tifozët ukrainas

10/10/2014 00:00

Policia e Bjellorusisë ka ndaluar me dhjetra tifozë futbolli të Ukrainës dhe Bjellorusisë, të cilët thërrisnin në kor slogane patriotike ukrainase dhe kore abuzuese ndaj Presidentit rus Vladimir Putin, gjatë ndeshjes së zhvilluar ditën e enjte.

Lajmi bëhet i ditur nga organizatat e të drejtave të njeriut dhe mediat lokale, duke shtuar se tifozët janë dëgjuar me kore abuzuese kundër Putinit në një videoklip përpara se të niste ndeshja kualifikuese për “Euro 2016”, ndërkohë që dëshmitarë thanë se ato ishin thirrje “Lavdi heronjve!” dhe “Lavdi Ukrainës!”, nga turma të vogla ukrainasish që kundërshtonin konfliktin e Kievit me separatistët e mbështetur nga rusët.

Putin, i cili ndodhej në Minsk të premten për një samit të liderëve të shteteve anëtare të Commonëealthit, shihet si një figurë poshtëruese në Kiev, që kur Rusia aneksoi Krimenë në Mars dhe më pas ofroi mbështetje ndaj separatistëve që luftojnë kundër forcave qeveritare në Lindje të Ukrainës.

Grupi i të drejtave të njeriut, me seli në Minsk, “Vesna-96” tha se rreth 40 persona ishin ndaluar, shumica e të cilëve janë gjobitur gjithashtu ose janë arrestuar për 5 ditë. Policia bjelloruse tha në një deklaratë se disa prej të ndaluarve janë liruar dhe 25 persona do të dalin para gjyqit të akuzuar për huliganizëm.

Top Channel