De Biasi: Ndaj Danimarkës, për fitore

10/10/2014 00:00

Rreth 24 orë nga ndeshja me Danimarkën, trajneri Gianni de Biasi, së bashku me kapitenin Lorik Cana dhe shefin e kombëtares Alban Bushi, kanë thyher heshtjen e këtij grumbullimi, që si rrallë ndonjëherë ka qenë i rezervuar dhe shumë pak i hapur për mediat.

Sigurisht që fitorja me Portugalinë na ka dhënë një tjetër status, bashkë me faktin se kjo do të jetë ndeshja e parë e këtyre eliminatoreve që luajmë në fushën tonë dhe pikërisht në stadiumin e ri “Elbasan Arena”. Për të gjitha këto arsye, trajneri De Biasi, ashtu si edhe kapiteni, janë të bindur se në fushë do të futen për 3-pikëshin.

“Nuk do të futemi për të marrë një pikë, por tre. Nuk duhet të harrojmë se përballë kemi Danimarkën, një skuadër e mirë teknikisht dhe mbi të gjitha fizikisht. E rëndësishme është të jemi të kujdesshëm, mbase në fund mund të jemi të kënaqur edhe me një pikë pasi duhet parë si do të shkojë loja”, tha trajneri italian i kombëtares sonë.

“I njohim shumë mirë cilësitë e Danimarkës. Kemi mposhtur skuadra më të forta se Danimarka, por edhe jemi mposhtur nga skuadra më të dobëta se Danimarka. E dimë rëndësinë e ndeshjes dhe do të bëjmë maksimumin tonë”, tha kapiteni Cana.

Ndeshja mes Shqipërisë dhe Danimarkës do të luhet nesër në orën 20:45 në “Elbasan Arena”, me një atmosferë të ndezur. Këtë e tregon edhe fakti i shitjes i të të gjitha biletave për këtë takim.

Top Channel