Spanja zhgënjen sërish, mposhtet nga Sllovakia

09/10/2014 00:00

Sllovakia ka bërë surprizën në ndeshjet e dyta të eliminatorëve të “Euro 2016” duke mposhtur në fushën e saj kombëtaren e Spanjës 2-1.

Pas largimit turpërues nga Kampionati Botëror “Brazil 2014” kombëtarja e spanjolle u duk sikur po e merrte veten kur fitoi 5-1 në ndeshjen e parë eliminatore ndaj Maqedonisë, por Sllovakia ka bërë që kritikat të rikthehen sërish ndaj kombëtares së Del Bosque.

Iberikët e panë veten në disavantazh që në minutën e 17-të, pasi Juraj Kucka ekzekutoi në mënyrë perfekte një goditje dënimi duke mposhtur portierin Casillas. Kampionët e Europës tentuan me të gjitha mënyrat për të gjetur golin e barazimit që në pjesën e parë, por sulmuesi i tyre kryesor, Diego Costa nuk arriti ta bënte një gjë të tillë në 45 minutat e para.

Në pjesën e dytë trajneri Del Bosque, duke parë që e kishte të pamundur të gjente golin me lojtarët që nisën takimin vendosi të aktivizojë lojtarin e Valencias, Francisco Alcacer, i cili në minutën e 83 barazoi shifrat. Atëherë kur u mendua që Spanja edhe mund ta përmbyste rezultatin ishin sërish të zotët e shtëpisë të cilët arritën të shënojnë edhe golin e dytë dhe të avantazhit me Miroslav Stoch.

Me këtë fitore Sllovakia merr kryesimin e grupit C me 6 pikë të plotë. Në këtë grup bënë pjesë edhe Maqedonia, e cila arriti një fitore të vuajtur ndaj Luksemburgut. Abdurrahimi ishte autori i golit të fitores në minutat shtesë të takimit, duke e çuar rezultatin në 3-2. Në grupin C u luajt edhe ndeshja mes Bjellorusisë dhe Ukrainës e mbyll me rezultatin 0-2.

Në grupin E u luajtën tre sfidat e tjera, ku Anglia mposhti 5-0 San Marinon, ndërsa Zvicra u mund në Slloveni 1-0. Me të njëjtin rezultat Lituania mundi Estonin.  

Top Channel