F1, Lauda konfirmon: Alonso te McLareni

08/10/2014 00:00

“Fernando Alonso do të garojë me McLarenin”. Zyrtarizimi i kalimit të pilotit spanjoll te skuderia britanike e Woking vitin e ardhshëm e jep pikërisht Niki Lauda.

Ndërsa një zë jozyrtar që qarkullon në “paddock” prej disa kohësh bën të ditur se lajmi është konfirmuar nga presidenti joekzekutiv i Mercedesit.

“Kanë firmosur kontratën të enjten e kaluar. Ne jemi të qetë, Hamilton do të qëndrojë me ne edhe për vitin e ardhshëm”, është shprehur drejtuesi i dytë i skuderisë, siç raportonte “Mundo Deportivo”.

Megjithatë nuk vjen asnjë konfirmim nga McLaren. Ron Dennis mohon në fakt të jetë firmosur ndonjë kontratë “me Alonson apo ndonjë pilot tjetër”.

Sipas të dhënave të para, fraza e Laudas mund t’i referohet faktit që Fernando ka firmosur tashmë një parakontratë me Hondën, që vitin e ardhshëm do të jetë furnizuesi me motorë i McLarenit.

Edhe Helmut Marko, drejtues i ekipit austriak të Red Bullit, jep një konfirmin “padashje” të akordit të arritur tashmë mes Alonsos dhe ekipit britanik. “Askush nuk mund të mohojë aftësitë e Fernandos, por ne nuk mund ta marrim, sepse ka tashmë një akord me McLarenin për vitin 2015”.

Top Channel