Serbia nuk tërhiqet për tifozët

07/10/2014 00:00

Një ditë pas reagimit të ashpër të Federatës Shqiptare të Futbollit ndaj kërkesave absurde sipas tyre për çështjen e ndarjeve të tifozerive në bazë të pasaportave, ka patur një tjetër kundërpërgjigje.

Duke qenë se kjo kërkesë që pala serbe i bën FSHF-së ka qenë e padëgjuar ndonjëherë në të gjithë historinë e këtij institucioni, Federata Serbe nuk ka ndërmend të fusë një frymë bashkëpunimi në prag të ndeshjes së Beogradit. Ata madje i kanë kujtuar FSHF-së një nen të statutit të FIFA-s dhe UEFA-s, neni 16, sipas të cilit është e mundur dhe normale kërkesa e tyre për identifikimin e tifozerisë.

Gjithsesi, Federata Shqiptare e Futbollit i qëndron vendimit të saj se e ka të pamundur dhe nuk ka asnjë arsye për të bërë këtë ndasi mes tifozëve shqiptarë me pasaportë shqiptare apo të huaj.

Një situatë ngërçi e cila nuk vjen aspak në ndihmë të bashkëpunimit mes dy federatave në prag të ndeshjes Serbi-Shqipëri që do të zhvillohet më 14 tetor në Beograd.

Top Channel