Thohir “votëbeson” Mazzarrin, premton përforcime

07/10/2014 00:00

Presidenti i Interit, Erick Thohir, ka votëbesuar trajnerin Walter Mazzarri, pavarësisht fillimit problematik të ekipit të tij këtë sezon të Serie A.

Zikaltrit humbën 3-0 me Fiorentinën, këtë të diel, duke shtuar presionin ndaj teknikut Mazzarri. Humbja vinte vetëm një javë pas “shpërfytyrimit” 4-1 të zikaltërve në “Giuzeppe Meazza”, ndaj ekipit të Cagliarit, duke e zbritur Interin në vendin e 10 të Serie A, me vetëm 2 fitore nga 6 ndeshjet e zhvilluara deri më tani.

“Humbjet me Cagliarin dhe Fiorentinën na kanë shokuar disi”, tha Thohir për faqen zyrtare të klubit. “Por, jam i bindur se dëshira nuk mungon nga askush për t’u përmirësuar. Kampionati italian është tejet kompetitiv, ndaj dhe nevojitet pak durim. Duhet të analizojmë situatën që po kalon ekipi. Mazzarri do të bëjë më të mirën për Interin, ndaj dhe i japim mundësinë ta tregojë diçka të tillë. Trajneri vazhdon të ketë besimin tonë. Ndaj dhe shpresojmë që pushimi për ndeshjet ndërkombëtare të përdoret për vlerësimin e kësaj situate jo të mirë. Lojtarët tashmë duhet të bëjnë një analizë të vetëvetes, në mënyrë që të përgatiten për ndeshjen e radhës sa më mirë të munden”.

Ndërkohë, Thohir shprehet i gatshëm të punojë edhe në lidhje me afrime të mundshme në skuadër gjatë merkatos dimërore.

“Do të shohim se çfarë nevojitet – tha ai. – Ndoshta kemi nevojë për një mesfushor kualitativ, në të njëjtin nivel me Hernanes apo Kovacic, por edhe një sulmues të fuqishëm me aftësi shumë të mira me kokë. Nuk mund të them më shumë, sepse duhen vlerësuar shumë gjëra. Mbrojtja është mirë dhe mesfusha po bën maksimumin. Kemi lojtarë të rëndësishëm, të cilët po performojnë me standarde të larta, si Kovacic, Medel dhe Hernanes”.

Inter luan gjithashtu edhe në Europa League këtë sezon, ndërsa ndeshjen e radhës do ta ketë ndaj Napolit në “San Siro”, më 19 Tetor.

Top Channel