Katalunja e pavarur nxjerr jashtë Barcelonën

07/10/2014 00:00

Më 9 Nëntor vendoset e ardhmja e Katalunjës, e jo vetëm… Kjo sepse si pasojë e rezultatit të referendumit për pavarësi do të vendoset edhe e ardhmja e Barcelonës.

Komuniteti autonom spanjoll do të votojë në atë datë, ashtu siç ndodhi edhe në Skoci, ku kërkohej ndarja prej Mbretërisë së Bashkuar, por që rezultoi pa sukses.

Klubi blaugrana ka qenë gjithnjë e lidhur me këtë çështje, e shfaqur kjo edhe nëpërmjet ngjyrave të fanelës së dytë, verdhekuqe, ashtu siç janë edhe ngjyrat e flamurit katalanas, apo “la Senyera”.

Mbrojtësi Pique, më 16 Shtatorin e kaluar, zbriti edhe në shesh për manifestimet e referendumit. Ndaj dhe, në rast se populli katalanas thotë “po” pavarësisë, kjo mund të shkaktonte probleme edhe për skuadrën e Leo Messit.

Presidenti i Ligës Profesioniste të Futbollit (LFP), Javier Tebe, ka konfirmuar se “në rast të pavarësisë, Barcelona dhe Espanyol nuk do të mund të luanin në La Liga”.

“Rregullat tona njohin vetëm një dispozitë, në të cilën thuhet se ekziston vetëm një shtet jo spanjoll, i cili mund të zhvillojë ndeshje në La Liga, ose në kompeticionet zyrtare spanjolle, e këtu bëhet fjalë vetëm për Andorrën”, ka shpjeguar Tebe.

Një çështje që duhet zgjidhur sa më parë, kjo edhe për të mirën e futbollit botëror. Ndoshta mund të bëhet një përjashtim, duke kopjuar modelin e Monacos në Ligue 1.

Top Channel