F1, Villeneuve: Të ndryshohet protokolli i sigurisë

06/10/2014 00:00

Ish-piloti kanadez Jacques Villeneuve kërkoi që Formula 1 të ndryshojë protokollin e sigurisë në rast aksidentesh pas aksidentit të rëndë që pësoi Jules Bianchi në Cmimin e Madh të Japonisë ditën e dielë, kur u përplas me një vinç që po tërhiqte makinën e gjermanit Adrian Sutil.

“Duhen ndryshuar rregullat që kanë lidhje me makinën e sigurisë (Safety Car). Kur unë isha pilot gjithmonë thoja që pas çdo aksidenti duhet të ketë në pistë një makinë sigurie”, tha kampioni i Formulës 1 në vitin 1997 për ‘Autosport’.

Sipas tij, ka shumë mundësi që një makinë të përplaset me një makinë të palëvizur dhe situata të tilla nuk mund të kalohen vetëm me flamuj të verdhë.

“Problemi është se kur vendoset dalja në pistë e makinës së sigurisë, mediat dhe publiku ankohen se po ndërpritet gara. Sigurisht që gara ngadalësohet, por të paktën do të shmangen aksidente si ai i Bianchit. Sa herë që pësoja aksident, kisha frikë se një makinë tjetër do të vinte të përplasej me mua”, shpjegoi Villeneuve.

Top Channel