Seria A, vazhdon kriza e Interit

06/10/2014 00:00

Interi shkatërrohet sërish. Nëse ndeshjen e kaluar të Serisë A u poshtërua 4-1 në San Siro nga Cagliari, kësaj radhe ishte Fiorentina ajo që e mposhti bindshëm 3-0 në stadiumin “Artemio Franchi”.

Ishte një gol i mrekullueshëm nga Babacar ai që zhbllokoi ndeshjen në minutën e shtatë, ndërsa në minutën e 19 ishte një tjetër goditje e fortë nga jashtë zone e Cuadrados që dyfishoi rezultatin.

Interi nuk reagoi për asnjë moment dhe Fiorentina vulosi fitoren me golin e tretë të Tomoviçit në minutën e 76.

Trajneri zikaltër, Walter Mazzarri, e shpjegoi kështu humbjen e radhës: “Nuk jemi mirë fizikisht dhe e dimë. Kemi probleme që dolën në pah, jemi në vështirësi. Fatmirësisht tani është pushimi i kombëtareve.”

Mazzarri nuk kërkon të gjejë justifikime: “Gjithçka po shkon keq për ne. Jemi gjithmonë vonë tek topi dhe nuk i gjejmë dot mekanizmat e lojës duke luajtur kështu.”

Top Channel