Superiore, Kukësi rrëmben kreun e renditjes

05/10/2014 00:00

Është mbyllur këtë të diel java e shtatë e Superiores, me tre ndeshje të zhvilluar në mesditë e që kanë përfunduar të treja me fitoret e ekipeve vendase.

Kukësi ka mposhtur minimalisht 1-0 durrsakët e Teutës, falë një goli të Pero Pejic, i cili i ka dhënë jo vetëm 3 pikët e radhës ekipit kuksian, por edhe kreun e renditjes me 13 pikë në 7 javë.

Vetëm 1 pikë larg Verilindorëve gjendet dyshja e kryeqytetit, Tirana-Partizani, por edhe Flamurtari i Vlorës, ekipe këto që janë në kuotën e 12 pikëve, ndërsa kampionët në fuqi mbeten disi më pas, me 11 pikë të grumbulluara në po shtatë javë kampionati.

Në dy takimet e tjera, Laçi ka mposhtur thellë dhe pastër 3-0 Vllazninë, duke e zhytur këtë skuadër edhe në “krizë” rezultati veç krizës administrative që po kalon, pas përplasjes së drejtuesve menaxherialë dhe Bashkisë së qytetit.

Laçianët, me fitoren e sotme, kanë parakaluar shkodranët dhe gjenden tashmë në kuotën e 10 pikëve. Golat u shënuan nga Xhejms, dygolësh, dhe Cetkovic.

Ndeshja e fundit e së dielës ishte ajo mes dy ekipeve që janë ngjitur këtë sezon në Superiore, por njëkohësisht mbajnë edhe dy vendet e fundit në klasifikim që, nëse do të mbaronte këtu kampionati, do t’i rikthente ato sërish në Kategorinë e Parë.

Bëhet fjalë për Elbasanin, që ka mposhtur 2-0 Apoloninë e Fierit, jo vetëm një rival direkt për luftën për mbijetesë, por me këtë fitore verdheblutë kanë marrë edhe 3 pikët e para të këtij edicioni, pas plot 7 javë kampionati, ku deri më tani njihnin vetëm rezultate negative dhe shënonin 0 pikë. Për verdheblutë shënuan Cota dhe Musta, nga një gol në secilën pjesë loje.

Ja renditja e Superiores pas javës së 7.

 
1. Kukesi    13    
2. KF Tirana    12    
3. Partizani    12    
4. Flamurtari    12    
5. Skenderbeu    11    
6. Laci    10    
7. Vllaznia    8    
8. Teuta    7    
9. Apolonia Fier    4    
10. Elbasani    3

Top Channel