Reagimet e pilotëve të tjerë

05/10/2014 00:00

“Gara nisi shumë më herët, sepse që në fillim nuk mund të shihej asgjë, dhe po ashtu përfundoi shumë vonë”.

Këto kanë qenë komentet e pilotit brazilian të Williamsit, Felipe Massa, i cili kritikon drejtuesit e garës në Çmimin e Madh të Japonisë, duke iu referuar incidentit që i ndodhi Jules Bianchi dhe Marussias së tij.

“Kur kishte hyrë Safety Car, kisha 5 xhiro që bërtisja në radio duke kërkuar ndalimin e saj. Nuk shihej asgjë. Por, drejtuesit kanë marrë shumë kohë për të vendosur dhe ndodhi ajo që ndodhi”, shton ish-piloti i Ferrarit.

Edhe fituesi i këtij çmimi, britaniku Hamilton, i dedikon lutje pilotit francez. Piloti i Mercedes është i kënaqur për fitoren e kësaj gare, por nuk fsheh pakënaqësinë për një garë të “përfunduar në mënyrën më pak të pritshme”.

“Ishte një garë interesante – ka thënë Hamilton. – Makina po shkonte mirë edhe gjatë garës, ashtu si dhe në prova, një rezultat shumë i madh për ekipin. Por tani të gjithë jemi të shqetësuar për kolegun tonë Bianchi, ndaj lutjet e mia shkojnë për të”.

Edhe Adrian Sutil, piloti i cili pati aksidentin e mëparshëm, për të cilin u desh hyrja e vinçit për të hequr makinën nga pista, e që rezultoi në një situatë të pafavorshme për Bianchin, që humbi kontrollin e makinës së tij, ka folur pas garës.

“Humba kontrollin në kthesën 8 për shkak të pjesës me shumë lagështi në pistë. Bianchi? Në respekt të jetës së tij nuk dua të komentoj, i uroj më të mirat. Dua të mos flas për këtë çështje, respektoj Julesin”, tha ai.
 
“Mendimet tona janë vetëm për Bianchin”, këto janë fjalët e Nico Rosberg, i cili pas përfundimit të garës së Japonisë është shprehur se “shpresojmë që të jetë mirë. Ishte një garë e mirë, kishim një ecuri shumë të mirë, por të mos flasim për këtë. Gjëja më e rëndësishme është t’i urojmë Bianchit të kthehet në gjendje të mirë. Është mëkat kjo që ndodhi”.

Drejtuesit e garës në pistën e Suzukës janë vënë në shënjestër të akuzave për incidentin e Bianchit. Askush nuk mendoi të fuste Safety Car në pistë pas aksidentit të Sutil, daljes së tij në një zonë të rrezikshme, por edhe futjes në të të vinçit. Nga pamjet televizive duket se komisarët valëvisin ende flamujt e verdhë, edhe pse dy makina ishin jashtë gare.

Top Channel