Barça s’njeh rivalë, ende pa pësuar gol

05/10/2014 00:00

Barcelona ka mundur të bëjë kthesën pas asaj humbjeje befasuese në mesjavë, 3-2 nga Paris Saint-Germain për Champions League, teksa këtë herë në La Liga golat e Lionel Messit dhe Neymar i kanë dhuruar një fitore 2-0 ndaj Rayo Vallecanos të mbetur me 9 lojtarë.

Valencia mbetet ende ndjekësja më e afërt e katalanasve, me vetëm 2 pikë më pak, pasi mposhtën befasisht kampionët e Spanjës, Atletico Madrid, falë 3 golave të shënuar në 13 minutat e para të ndeshjes në “Mestalla”.

Edhe pse takimi në “Camp Nou” nisi me presionin e miqve, u deshën vetëm 2 minuta pas rreth gjysmë ore loje, që katalanasit të shënonin 2 gola dhe thuajse të mbyllnin takimin. Messi dhe Neymar vazhdojnë me kombinimin perfekt mes tyre, por edhe me formën pozitive dhe gjetjen në vazhdimësi të golit.

Barça kryeson La Liga pas 7 javësh, gjatë të cilave ende nuk ka pësuar gol, ndërkohë që ndodhet 5 pikë larg Atleticos së vendit të 3-të dhe 7 pikë ndaj Real Madridit, por “merenguesit” mund ta shkurtojnë diferencën, pasi këtë të diel do të ndeshen me Athletic Bilbaon në “Santiago Bernabeu”.

Top Channel