Gjykata rrëzon hetuesit: Në gjyq edhe Messi

03/10/2014 00:00

Asi i Barcelonës dhe i kombëtares argjentinase, Lionel Messi do të hetohet personalisht për shmangje të detyrimeve financiare.

Një gjykatë në Barcelonë rrëzoi rekomandimin e hetuesve të çështjes për të përjashtuar futbollistin nga ky hetim me pretendimin se të gjitha përgjegjësitë për kryerjen e mundshme të evazionit bien mbi të atin e tij.

Messi dhe babai i tij, Jorge akuzohen për mashtrim të autoriteteve duke iu shmangur taksave në shifrën prej 4 milion eurosh, vepër që dyshohet se është kryer nga 2007 deri në 2009.

Katër herë fituesi i Topit të Artë akuzohet se nuk ka deklaruar të ardhurat e siguruara nga imazhi i tij gjatë kësaj periudhe, të ardhura që janë përfituar kryesisht nga spotet publicitare për llogari të Adidas, Danone, Pepsi apo Proctor & Gamble.

Hetuesit thonë se janë përdorur banka në Belize dhe Uruguaji për t’iu shmangur detyrimeve tatimore në Spanjë, vepër që cilësohet e paligjshme nga legjislacioni spanjoll.

“Në këto lloje krimesh nuk është e nevojshme që dikush të jetë në dijeni të plotë të të gjitha llogarive apo shumës së saktë, mjafton të njohë se cfarë është e ligjshme dhe çfarë jo”, deklaroi gjyqtari i çështjes.

Akuzat ndaj Messi-t për evazion nisën të qarkullonin dy vite më parë, kur Spanjë përforcoi legjislacionin dhe masat shtrënguese për shkak të krizës financiare. Në gusht të vitit të kaluar, futbollisti argjentinas derdhi në arkat e shtetit spanjoll shumën prej 5 milion eurosh, 4 milion detyrime dhe 1 milion interesat e kamatë-vonesës.

Top Channel