Suzuka, moti premton ciklon, por edhe merkato

03/10/2014 00:00

Në prag të Çmimit të Madh të Japonisë, këtë fundjavë, konferenca e zakonshme për shtyp e pilotëve është kushtëzuar nga parashikimet e motit, por edhe ato të merkatos.

Pista e Suzukës kërcënohet seriozisht nga një tajfun (ciklon) që mund të rezultojë kushtëzues për mbarëvajtjen e provave zyrtare dhe garës së fundjavës, por më e rëndësishme se kjo është “stuhia” e merkatos që si zakonisht bëhet edhe më e “egër” gjatë garave të fundit të çdo sezoni.

Duke nisur nga Sebastian Vettel, i cili sipas thashethemeve pretendohet nga Ferrari. “Zërat e merkatos në këtë moment të sezonit janë gjithnjë mbizotërues, por nuk është diçka që e kam parësore në mendjen time. Momentalisht jam i përqendruar te gara”, është shprehur piloti gjerman i Red Bullit, 4 herë kampion bote radhazi.

Edhe pse ka kaluar një sezon të vështirë së fundi, duket se nga gara e fundit ka një kujtim pozitiv me atë vend të dytë. “Dua të konfirmoj atë që bëra në Singapor. Mendoj se gjërat po shkojnë në drejtimin e duhur dhe se Red Bull ka ende potenciale të mëdha për të treguar në garat e mbetura – ka vazhduar Vettel. – Ekziston mundësia e ngjitjes në podium sërish”.

Edhe rinovimi i Jenson Button është disi kumbues përpara Suzukës. Një ndryshim eventual i skuderisë për pilotin britanik mund të shkaktojë një sërë ndryshimesh “efekt dominoje”.

“E ardhmja ime do të vendoset shumë shpejt, por nuk mund të flas ende për asgjë”, ka konfirmuar piloti, që sezonin e ardhshëm mund të ketë në krah Alonson, ose mund të zëvendësohet nga spanjolli. “Nëse qëndroj te McLaren apo largohem? Besoj se McLaren është opsioni më i mirë”.

Top Channel