Ronaldo: Man. United është familja ime

02/10/2014 00:00

Pavarësisht dëshirës së tifozëve dhe drejtuesve të Manchester United për rikthimin e Cristiano Ronaldo në “Old Trafford” duket se portugezi nuk ka ndërmend të bëjë një gjë të tillë.

CR7 është edhe një dëshirë e trajnerit Louis van Gaal, i cili kërkon ta ketë nën urdhrat e tij portugezin që mbajti veshur plot 6 sezone bluzën e Manchester United para se të transferohej për një shifër rekord në “Santiago Bernabeu”.

Tifozët e “Djajve të kuq” kërkojnë që Ronaldo të rikthehet sa më shpejtë të jetë e mundur, madje ata nisën edhe fushatën “Ronaldo kthehu në shtëpi”. Në përballjen që Reali pati ndaj Villareal-it fansat e United kishin rezervuar një surprizë të veçantë për CR7-ën. Ata morën një avion me qira dhe fluturuan mbi “El Madrigal”, ku shpalosën edhe parullën me mbishkrimin “Ronaldo kthehu në shtëpi”.

“Unë jam prekur për faktin që ata duan të rikthehem , por unë jam i lumtur këtu. Gjithmonë kam thënë se Manchester është si një familje për mua, por dua që të qëndroj në Madrid”, është shprehur Ronaldo.

Portugezi ka një kontratë me madrilenët që e mban të lidhur me klubin deri në vitin 2018. Ai ka shënuar me Realin e Madrid-it 266 gola në 256 ndeshje.

Top Channel