Futboll amerikan, lojtari fetar ndëshkohet për faljen

02/10/2014 00:00

Një yll i futbollit amerikan është ndëshkuar për “sjellje josportive” pasi festoi një “touchdown” duke bërë një falje myslimane.

29-vjeçari Husain Abdullah u penalizua me një penallti 15-jardësh kur u ul në gjunjë për tu falur pasi shënoi për Kansas City Chiefs në fitoren 41-14 kundër New England Patriots.

Por, sipas rregullave të NFL-së, nuk ka ndëshkime për lojtarët fetarë në të tilla raste dhe zëdhënësi Michael Signora pranoi gabimin për ESPN-në.

“Nuk duhet ndëshkuar një lojtar që gjunjëzohet për tu falur. Nuk duhet të kishte pasur penallti në atë rast”, tha zëdhënësi i NFL-së.

Ndëshkimi i lojtarit mysliman shkaktoi shumë polemika pasi lojtarë të tjerë të krishterë nuk ishin ndëshkuar kur ishin lutur në raste të ngjashme.

Top Channel