Norvegjia grumbullon në kombëtare një 15-vjeçar

01/10/2014 00:00

Martin Odegaard është një futbollist 15-vjeçar i cili është grumbulluar nga kombëtarja norvegjeze e futbollit për ndeshjet ndaj Maltës (10 tetor) dhe Bullgarisë (13 tetor). I lindur në 17 dhjetor 1998, mesfushori ka debutuar me Norvegjinë në 27 gusht, në një miqësore kundër Emirateve të Bashkuara Arabe (luajti plot 90 minuta), por tani do të ketë mundësinë të debutojë në një ndeshje zyrtare.

Në muajin prill, Odegaard u bë futbollisti më i ri që debutonte në kategorinë e parë të kampionatit norvegjez. Ndryshe nga stereotipi i futbollistit nordik, 15-vjeçari spikat për kontrollin e topit dhe goditjen nga vendi, duke bërë që specialistët ta krahasojnë me Messin.

“Më shumë se 30 klube janë interesuar për të. Martini mund të luajë për çdo ekip të madh”, thotë Hans Erik, babai i tij.

Stuttgart, Bayern Munchen dhe Manchester United e kanë ftuar adoleshentin të shohë komplekset e tyre stërvitore në mënyrë që ta bindin për tu bashkuar me ta. Edhe Manchester City kërkon të përfitojë nga miqësia mes klubeve, ndërkohë që mediat norvegjeze publikojnë çdo ditë për interesimin e skuadrave si Barcelona, Juventus, PSG, Chelsea apo Dortmund…

Top Channel