Teuta befason Skëndërbeun

27/09/2014 00:00

Nëse ka qenë i qetë derbi dhe pa shumë zhurmë, surprizat e Superligës nuk kanë munguar një ditë më pas.

Teuta ka mundur kampionët e Skëndërbeut me rezultatin 2-0 në “Niko Dovana”, duke i rrëzuar menjëherë besimin korçarëve që vinin në këtë takim pas fitores ndaj Kukësit në fushën e tyre.

Peposhi dhe Krasniqi janë autorët e dy golave shumë të bukur që vlejnë më tepër dhe për moralin e durrsakëve.

Ndërkohë, Laçi pas fitores me Tiranën në fushën e tij i merr një pikë edhe Flamurtarit në Vlorë falë barazimit 1-1. Xhejms kalon skuadrën e Cungut në avantazh me një supergol në minutën e ‘31, ndërkohë që Fortunat barazon brenda pjesës së parë, pas një asisti që i kthehet nga traversa.

Pjesa e dytë ka folur krejtësisht për vlonjatët që e kanë mbyllur në portë skuadrën e Laçit, por pa mundur të ndryshojnë shifrat e takimit.

Në ndeshjen tjetër të së shtunës të luajtur pasdite, Vllaznia ka vazhduar serinë e fitoreve pasi ka mundur 1-0 Elbasanin në “Loro Borici”. Soza është autori i golit të vetëm i këtij takimi, që u shënua në minutën e ‘22.

Edhe pas kësaj jave të 6-të, kreu i Superligës ndahet nga tre skuadra: Tirana, Partizani dhe Flamurtari, të treja me nga 11 pikë.

Top Channel