4 të vdekur në aksidente rrugore, mes tyre një i mitur

27/09/2014 00:00

Një fëmijë i është shtuar viktimave të aksidenteve rrugore të ndodhura këtë të shtunë në vend. Gjatë orëve të pasdites, në autostradën Lezhë-Shkodër një automjet ka dalë nga rruga dhe për pasojë ka humbur jetën një fëmijë vetëm 11-muajsh.

I mituri ndodhej në bordin e makinës tip “Fiat Punto” që drejtohej nga e ëma 23-vjeçare, bëjnë të ditur burime pranë policisë rrugore.

Sipas tyre, në një moment shtetasja Blerina Ndoca ka humbur kontrollin, ka dalë nga rruga dhe është përplasur dhunshëm. Për rrjedhojë, fëmija ka gjetur menjëherë vdekjen, ndërsa 23-vjeçarja ka mbetur e plagosur rëndë.

Ajo është transportuar në spitalin më të afërt nga forcat e policisë kur kanë mbërritur në vendin e ngjarjes, saktësojnë burimet, të cilat shtojnë se shkak i aksidentit paraprakisht dyshohet të jetë një manovër e gabuar.

Po në orët e pasdites, në rrugën pranë Ministrisë së Brendshme në Tiranë, një automjet ka përplasur një kalimtar rreth të 60-ave, duke e lënë atë të plagosur.

Ndërsa në Korçë, rreth orës 20:00, një motoçikletë është përplasur me një makinë të parkuar dhe për pasojë drejtuesi ka mbetur i plagosur rëndë.

Ndërkohë, më herët gjatë ditës një aksident i rëndë rrugor, i ndodhur në aksin Gramsh-Kodovjat i mori jetën 3 personave, ndërsa një tjetër mbeti i plagosur.

Ngjarja e tragjike u regjistrua rreth orës 07:00 të mëngjesit, në afërsi të fshatit Bërsnik, kur drejtuesi i një mjeti tip fuoristradë humbi kontrollin dhe makina përfundoi në një terren të thepisur në anë të rrugës.

Nga aksidenti humbën jetën shtetasit Aleksandra Taragjini, Myzafer Cingërrima dhe 25-vjeçari Artur Ibro, ndërsa mbeti i plagosur Mehmet Taragjini.

Ky i fundit u shoqërua menjëherë në spital, ku dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Policia me të mbërritur në vendin e ngjarjes nisi punën për zbardhjen e plotë të shkaqeve që çuan në aksidentin tragjik.

Top Channel