Supersport transmeton falas derbin Tirana-Partizani

26/09/2014 00:00

Të premten në mbrëmje do të luhet ndeshja e shumëpritur e futbollit
shqiptar, derbi Tirana-Partizani, por që në këtë takim përballen si kurrë më
parë, pa praninë e tifozerisë.

Ngjarjet e ndodhura në Shkodër mes Tiranës dhe Vllaznisë dhe më pas vendimi i Komisionit të Disiplinës e kanë lënë të heshtur këtë derbi. Kështu në orën 20:00 përballja e 137-të e këtyre dy skuadrave do të luhet në “Qemal Stafën” e boshatisur. Ky takim do te transmetohet drejtperdrejt dhe falas ne paketen Supersport.

Kërkesës së klubit bardhheblu për ta mbushur stadiumin me femra dhe fëmijë ka marrë përgjigje negative nga Federata Shqiptare e Futbollit. Si rrjedhojë, duke qenë se Tirana është skuadra organizatore e këtij takimi dhe vuan dënimin e ndeshjeve pa tifozë, atëherë edhe Partizani nuk do të ketë mundësinë e mbështetësve të tyre në stadiumin kombëtar.

Gjithsesi, tifozeria e kuqe ka njoftuar se do të ketë një grumbullim në fushën e zonës së Laprakës ku do të ketë ekrane të mëdhenj për të ndjekur takimin. Edhe tifozët bardheblu kanë një zgjidhje të tillë. Ata kanë njoftuar se do të grumbullohen në orën 19:00 në stadiumin “Selman Stërmasi”, për të ndjekur nëpërmjet ekraneve të mëdhenj ndeshjen që do të luhet në “Qemal Stafa”.

Ndërkohë, ndeshja tjetër e javës së 6 të Superiores, që luhet sot, do të jetë Apolonia-Kukësi në orën 17:00.

Top Channel