Inzaghi “kritikon” mbrojtjen: Nuk pësohen gola të tillë

24/09/2014 00:00

Barazimi i Milanit ndaj Empolit, teksa ndodhej në disavantazh të dy golave, nuk është se e kënaq tërësisht Pippo Inzaghin, kjo për shkak se “deri në minutën e 30 kemi qenë inekzistentë, më pas për t’u lavdëruar”.

Kështu është shprehur trajneri i kuqezinjve, i cili ka vijuar: “Nuk mund të pësojmë këto gola, i kisha përgatitur më së miri situatat nga goditjet standarde, por kemi pësuar 2 gola nga dy shpërqendrime, të cilat na kanë kushtuar së tepërmi”.

Megjithatë reagimi në pjesën e dytë ishte për t’u lavdëruar: “Uroj që me këtë shpirt gare të mund të vazhdojmë të rritemi”.

“Duhet të marrim frutet e asaj që po bëjmë mirë në fazën avancuese, ndërsa kemi shumë për të përmirësuar në prapavijë. Të jesh ekipi me sulmin më të mirë në kampionat të bën të ndihesh mirë, sepse po shfaqim shumë dëshirë dhe lojë të bukur. Por duhet të kujtojmë gjithnjë se nga vijmë…”.

Inzaghi shpjegon edhe arsyen e kalimit nga skema taktike 4-3-3 në 4-2-3-1, në momentin e aktivizimit të Bonaventuras. “Është një modul loje që mund ta luajmë mirë me Torresin në fushë. Kemi shumë sulmues qendrorë e mund t’i përshtasim më së miri më këtë skemë. Fernando ka një dëshirë të madhe, fatkeqësisht pati një tërheqje muskulare, por sot (dje) luajti thuajse 90 minuta dhe ka shënuar një gol shumë të bukur, duke dhënë edhe asist. Jam i sigurt që do të na dhurojë momente të bukura”.

Top Channel