Tevez-Argjentinë, rikthim pas 40 muajsh mungesë

22/09/2014 00:00

Golat e shënuar prej tij në këtë fillimsezoni duken se e kanë bindur “Tata” Martinon. Carlos Tevez do të rikthehet në kombëtaren “albiceleste” për ndeshjen miqësore ndaj Brazilit, më 11 Tetor.

Njoftimi nuk është ende zyrtar, por është thuajse i sigurt. Tekniku i ri i Argjentinës po punon me një listë prej 35 lojtarësh, e cila do të reduktohet në 22-25 të tillë deri në fund të kësaj jave.

Emri i “Apashit”, që po bën të fluturojë Juventusin në Serie A, sigurisht që nuk do të mungojë. Tevez nuk luan me përfaqësuesen e kombit të tij që prej Korrikut të vitit 2011. Bëhet fjalë për një ndeshje të Kupës së Amerikës, të humbur ndaj Uruguajit, në të cilën gaboi edhe një 11-metërsh. Pra, kanë kaluar plot 40 muaj prej atëherë.

Një pritje e gjatë për Carlitosin, i cili nuk u grumbullua as në Botërorin e fundit të zhvilluar në Brazil. Dhe kjo, për shkak të një “ndjeshmërie” aspak miqësore me ish-trajnerin Sabella, por edhe për një “grindje” me një pjesë të lojtarëve në dhomat e zhveshjes, edhe pse Tevez ka mohuar të ketë pasur kontradikta me Messin, me të cilin është takuar së fundi dhe ka diskutuar për gjithçka.

Në sulm mund të kthehet edhe Mauro Icardi, që gjatë javëve të fundit ka impresionuar Gerardo Martinon me performancat e tij tek Interi. “Më në fund po flet me gola”, ishte komenti i trajnerit, ish-i Barcelonës, pas trigolëshit të shënuar prej tij ndaj Sassuolos.

Top Channel