Allegri: Asnjë hakmarrje ndaj Milanit

21/09/2014 00:00

Pas fitores ndaj Milanit, Allegri ka dalë nga “San Siro” i buzëqeshur.

“Besoj se ka qenë një ndeshje e bukur. Milani u mbrojt mirë, ndërsa ne zotëruam topin dhe krijuam më shumë raste për gol – ka shpjeguar tekniku bardhezi. – Kemi rrezikuar pak herë me kundërsulmet e kuqezinjve, por jemi ende në kohë për t’u përmirësuar”.

Një hakmarrje personale? “Jo, ishte një ndeshje normale për mua, gjithsesi nuk mund të flitet aspak për një hakmarrje. Tashmë jam trajner i Juventusit dhe më duhet të fitoj me këtë klub”.
 
Trajneri i Juves është shfaqur i kënaqur nga rezultati, por edhe nga loja, e megjithatë nuk dëshiron që të flitet për një ndeshje perfekte. “Disa situata mund të ishin zgjidhur më mirë, sidomos në minutat e fundit pas shënimit të golit. Jemi gabuar në disa momente. Por, ka ende një rrugë të gjatë për të bërë dhe shumë më tepër për të përmirësuar. Gjëja pozitive është zotërimi i topit dhe lënia e shumë pak hapësirave për gabime”.

Ndërsa për autorin e golit të vetëm, i cili shënoi ditën e shtunë në “San Siro” golin e katërt në 3 ndeshje, duket se ky ishte sinjali i radhës se po kalon një moment shumë të mirë.

“Prisnim një ndeshje të vështirë, sepse Milani vinte nga 2 fitore, – shpjegoi Tevez në fund të takimit. – Por, ishim të bindur se mund të zhvillonim një ndeshje të madhe dhe ia dolëm mbanë”.

Top Channel