Superliga, mundet edhe Tirana

20/09/2014 00:00

Është vetëm java e pestë e Superligës dhe kreu i saj mbahet nga 4 skuadra që kanë pikë të barabarta. Tirana ka shijuar humbjen e parë në këtë fillim sezoni, ndërkohë që Elbasani vazhdon të mbetet ekipi i vetëm që ende nuk ka marrë asnjë pikë.

Bardheblutë e Maganit u mundën 2-0 në Laç nga vendasit e Armando Cungut, për të cilët ishte dhe fitorja e parë. Kurbinasit kaluan në avantazh në minutën e ‘30 me malazezin Cetkoviç, ndërkohë që lojtarët e Tiranës u treguan të pasaktë në ato pak raste që rrezikuan. Golin e dytë dhe të qetësisë për skuadrën e Laçit e shënoi Nimani në minutën e ‘76.

Flamurtari i Ernest Gjokës ka regjistruar fitoren e tretë radhazi dhe falë golavarazhit më të mirë e sheh veten në vendin e parë me 10 pikë, po aq sa Partizani, Skënderbeu dhe Tirana.

Ndërkohë, vlonjatët mundën me vështirësi 2-0 Elbasanin duke thelluar akoma më shumë krizën te kjo skuadër, e cila ende nuk ka marrë asnjë pikë. Golat e fitores i shënoi Muzaka me 11 metërsh dhe Gelashvili në minutën shtesë.

Vllaznia mundi 2-0 Apoloninë dhe e zbret skuadrën fierake në vendin e nëntë. Protagonisti i fitores së shkodranëve ishte Ndriçim Shtubina, i cili brenda 5 minutave shënoi dy gola në portën e Apolonisë.

Top Channel