Real, Ancelotti, i kënaqur me reagimin

17/09/2014 00:00

Trajneri i Real Madridit, Carlo Ancelotti, ka lavdëruar ekipin e tij për reagimin pas atij fillimi zhgënjyes në La Liga, teksa madrilenët mposhtën thellë 5-1 Baselin, në ndeshjen hapëse të Champions League, të martën në mbrëmje.

Duke qenë se vinin nga dy humbje, 2-1 në derbin me Atletico Madrid nëë fundjavë dhe 4-2 ndaj Real Sociedad një ndeshje më herët, “Los Blancos”-it u pritën me vërshëllima nga tifozët e vet, kur kanë kaluar vetëm 4 muaj nga ngritja e trofeut më prestigjioz europian, për të dhjetën herë në histori.

Gjithsesi, kriza e besimit të tyre është lehtësuar disi, pasi golat e Gareth Bale, Cristiano Ronaldos, James Rodriguez dhe Karim Benzemasë, përfshi edhe autogolin e Marek Suchy, u siguruan atyre një fitore bindëse në këtë nisje të fushatës së mbrojtjes së titullit kampion europe për klube.

“Reagimi i ekipit ishte shumë pozitiv, – tha bosi i Realit, Carlo Ancelotti. – Ushtruam presion shumë mirë në pjesën e parë dhe krijuam shumë raste. Ende nuk është zgjidhur gjithçka, por më pëlqeu mënyra se si reagoi ekipi”.

Ancelotti këmbënguli se nuk është habitur nga kritikat për formën e treguar së fundi nga Reali, prej fansave dhe medias në kryeqytetin spanjoll, por theksoi se do të vazhdojë punën me më shumë intensitet, ashtu siç bëri vitin e kaluar, kur korri një sukses të jashtëzakonshëm, duke i rikthyer madrilenët në majën e Europës.

“Kur humbet një ndeshje derbi është normale të nervozohesh. Nuk është e zakonshme për ne të humbasim dy ndeshje radhazi, ndaj dhe e shoh si diçka pozitive këtë, – shtoi ai. – Ndeshja ishte e lehtë, sepse e nisëm shumë mirë dhe në 30 minutat e para ushtruam presing, luajtëm shpejt dhe shënuam shumë gola, ndaj dhe mund ta kontrollonim përgjatë gjithë kohës ndeshjen”.

Top Channel