Juve, Allegri: Duhet më shumë përqendrim

17/09/2014 00:00

Trajneri i Juventusit, Massimiliano Allegri, ka bërë të ditur se kampionëve të Italisë u duhet më shumë vetëpërmbajtje në Champions League, nëse duan të kualifikohen nga grupi A, pas fitores 2-0 ndaj Malmos mbrëmjen e së martës.

Carlos Tevez i dha fund “shterpësisë” 5-vjeçare në kompeticionin më të madh europian për klube, teksa shënoi një dygolësh në pjesën e dytë të takimit, në fitoren e vyer të bardhezinjve ndaj kampionëve të Suedisë, në ndeshjen e zhvilluar në Torino.

Por, pavarësisht lavdërimeve ndaj sulmuesit argjentinas, Allegri pranoi frustrimin e tij me dështimin e Juves për të konvertuar në gol një sërë shansesh që iu dhanë gjatë takimit.

Tekniku 47-vjeçar, i cili i zuri vendin Antonio Contes muajin e kaluar, tha se pret një garë të fortë në grupin ku përfshihen edhe Olympiacosi i Greqisë, si dhe finalistët e edicionit të kaluar Atletico Madrid.

Grekët i shkaktuan një “shok” kampionëve të Spanjës, kur i mposhtën ata 3-2 në Pire. “Kurrë nuk mund të jenë ndeshje të lehta këto në Europë, ndaj dhe e dinim përpara ndeshjes se Malmo do të na mbyllte hapësirat për të shënuar sa më shumë dhe sa më gjatë të mundej”, tha Allegri.

“Ne morëm 3 pikët, por ishte një fitore jo shumë e lehtë. Humbëm një sërë rastesh për gol, mbi të gjithë nga Fernando Llorente, ndërsa në disa raste dukeshim të paorganizuar, veçanërisht në pjesën e parë. Kemi shumë gjëra për të përmirësuar. Ky është një grup i balancuar dhe çdo gjë mund të ndodhë. Nuk mendoj se do të jetë e lehtë për ndonjë ekip, që të dalë nga transferta e Malmos me një fitore, sa për shembull”, shtoi Allegri.

Top Channel