Ancelotti: S’do ta ndryshoja me asnjë Realin

15/09/2014 00:00

Carlo Ancelotti ka bërë të ditur se nuk do të donte ta ndërronte Realin e Madridit për asnjë ekip tjetër në Europë, teksa “Los Blancos”-it përgatiten për të nisur mbrojtjen e trofeut të Champions League, të martën, kundër Baselit.

“Los Merengues” po vuajnë prej një nisjeje aspak pozitive të sezonit të ri në La Liga, ku tashmë gjenden 6 pikë larg Barcelonës, pas humbjeve ndaj Real Sociedadit dhe Atletico Madridit, me rivalët e kryeqytetit ditën e shtunë.

Gjithsesi, pavarësisht se kanë shitur dy prej lojtarëve më decizivë të triumfit të sezonit të kaluar, pikërisht Angel di Marian dhe Xabi Alonson, në momentet e fundit të merkatos verore, Ancelotti beson se ka mjaftueshëm talentë në dispozicionin e tij për t’u bërë ekipi i parë në epokën e “Champions League” që rifitojnë trofeun më prestigjioz të Europës.

“Ndihem si një trajner, të cilit i duhet të ndreqë gjërat me ekipin ashtu siç bëri sezonin e kaluar. Këto ndeshje vijnë në momentin e duhur, pasi çdo ndeshje mund të shërbejë si një shkak pozitiv për ta bërë ekipin të reagojë. Kemi një dëshirë të madhe për këtë kompeticion, duam të jemi sërish kompetitivë dhe të përpiqemi ta fitojmë atë sërish. Është një faktor motivues, të qenit kompetitiv në një prej kompeticioneve më të rëndësishme të botës”, u shpreh tekniku italian i madrilenëve.

“Kemi kujtime të bukura nga sezoni i kaluar, ndaj do të luftojmë për të përsëritur gjithçka këtë sezon. Nuk do ta ndryshoja këtë skuadër për asnjë tjetër në Europë”.

Top Channel