Incidentet, lirohen tifozët e arrestuar

15/09/2014 00:00

Të 13 tifozëve, të arrestuar pas ndeshjes Vllaznia-Tirana, u është dhënë sot masa “detyrim paraqitjeje”.

Tifozët e dy ekipeve u arrestuan të enjten në flagrancë, ndërsa po përlesheshin në stadiumin “Loro Boriçi”.

Sipas organit të akuzës, në bazë të provave filmike dhe dëshmive të mbledhura rezulton se personat e arrestuar; 6 nga tifozeria e Tiranës dhe 7 nga tifozeria e Vllaznisë; kanë qenë aktiv në veprime të dhunshme gjatë përplasjes fizike mes tyre.

Seanca gjyqësore për 13 të arrestuarit ka zgjatur rreth dy orë e gjysmë dhe për të gjithë të arrestuarit do vazhdojë procedimi penal në gjendje të lirë, me “detyrim paraqitjeje”.

Ndërkohë, policia, në lidhje me dëmtimin e lehtë të presidentit të Tiranës, Refik Halili, ka identifikuar autorin e ngjarjes, shtetasin Mariglen Burreli nga Tirana, i cili është shpallur në kërkim nga policia.

Ndeshja Vllaznia-Tirana, ditën e enjte, u mbyll në një formë të dhunshme, që nuk ishte parë ndonjëherë në stadiumin “Loro Boriçi”, me 41 të shoqëruar, 13 të arrestuar, 19 të plagosur; katër prej tyre të dëmtuar me mjete të ftohta si thika; dhe dëme të konsiderueshme materialesh brenda stadiumit.

Top Channel