Qerimaj, stërvitje në bjeshkë

15/09/2014 00:00

“Jemi këtu në Rugovë të Pejës, pjesë e Bjeshkëve shqiptare, në lartësinë 1500 metra, ku kampioni i Europës në Peshëngritje, Erkand Qerimaj, ka ardhur për të përgatitur sfidën e radhës, atë të kampionatit botëror. Si gjithmonë me të njëjtat probleme, por nën kujdesin e trajnerit të tij personal, Zef Kovaçi”.

Në të vërtetë, kur sheh kaq shumë shifra që ngarkojnë boshtin që ngre Erkandi, kupton etjen që ka pikërisht ky sportist, bashkë me profesorin e tij, për t’u ngjitur më lart dhe për të harruar sa më shpejt dështimin e dy viteve më parë për një incident, që sigurisht lidhet me mungesën e një mjeku sportiv profesionit, që mund t’i qëndrojë pranë për ta këshilluar se çfarë i lejohet dhe çfarë jo për të përdorur edhe në rastet e një viroze, ku antigripi më i lehtë mund t’i hedhë poshtë të gjithë këtë mund e këto pesha, që me vuajtje e sforcime përpiqet t’i ngrejë.

Dhe, të vetëm, ashtu si një vit më parë në prag Europiani, profesor Zefi dhe Erkandi kanë zgjedhur të njëjtin vend nisur nga klima, nga rezultati i asaj përgatitjeje dhe, ndoshta, nga një lidhje supersticioze, duke parë se çfarë mundi të bëjë në atë kampionat.

Stërvitja e tyre fillon çdo mëngjes me ngarkesa më të lehta, ushtrime të ndryshme relaksuese e deri diku shlodhëse pranë hotelit, ku qëndronte kampioni i Europës së bashku me trajnerin e tij.

Pas një dreke hiperkalorike dhe pushimit të drekës, seanca e stërvitjes së pasdites të bën të kuptosh më mirë se për çfarë nivelesh po flasim dhe se sa mund derdhet për ato pak minuta, që zgjat paraqitja në një kampionat europian apo botëror. Sepse Erkandi, çdo ditë arrin të ngrejë disa ton… Po, po, e dëgjuat mirë, disa ton.

“Këto lartësi sjellin një rritje të madhe të numrit të rruazave të kuqe, që përkthehet në një aftësi më të madhe për punë tani dhe në vazhdim, për disa muaj”, shprehet Zef Kovaçi.

“Stërvitja po ecën mirë me ngarkesa të larta. Jemi në një fazë më të lartë se sa përpara Europianit. Dihet që Botërori shërben edhe kualifikues për Olimpiadën e Brazilit”, shprehet vet peshëngritësi Qerimaj.

“Unë kam konstatuar që ai, vetëm gjatë javës që kaloi, ka bërë 30 ton punë me pesha të rënda dhe është një dyfishim apo trefishim i punës që u bë në Tiranë”, tha trajneri Kovaçi.

Në fillim të muajit Nëntor priten rezultatet e gjithë kësaj ngarkese, sigurisht për profesor Zefin objektivi mbetet i njëjtë, përmirësimi i vetes nga kampioni i Europës.

“Dygarëshi është 349 kg, ne kemi mendimin që nga ana jonë ta shtojmë me 10 apo 12 kg”, tha trajneri Kovaçi.

Ndërkohë, që të luftosh për titullin kampion bote, gara është e një tjetër niveli dhe, padyshim, që shtohen kundërshtarët që kanë të njëjtin synim si sportisti ynë. Por, kur e pyet se cilit prej tyre i trembet, Erkandi përgjigjet:

“Të them të drejtën më tepër shtangës, pasi nëse unë i bëj detyrat mirë me shtangën, për mua rivalë nuk ka”.

Top Channel