Përjashtohen nga stadiumi tifozët e dhunshëm

13/09/2014 00:00

Komisioni i Disiplinës nuk ka treguar aspak mëshirë për grupimin e tifozave të Tiranës “Tirona Fanatics”, duke i lënë ata jashtë stadiumeve të Shqipërisë për këtë sezon.

Duke qenë se është një rast i përsëritur disa herë, Disiplina ka vendosur që pjesëtarë të këtij grupi tifozësh të mos futen në stadium.

Pasi ka shqyrtuar relacionet e të dërguarve të FSHF-së dhe pamjet filmike, Komisioni i Disiplinës ka vendosur që “Klubi i Futbollit Vllaznia” të luajë 10 ndeshjet e ardhshme në stadiumin e vet, pa praninë e tifozerisë së saj, e cila së bashku me ata të Tiranës ishin aktorët kryesorë të asaj dhune të paprecedent në “Lori Borici”.

Përveç kësaj, për  shkak të dështimit në përmbushje të përgjegjësive për organizimin e një ndeshjeje futbolli, klubi shkodran është gjobitur edhe me 1 milion lekë. Me të njëjtat motive është dënuar edhe klubi i Tiranës, por për shkak se aktet e dhunshme të tifozërisë se vet kanë qenë të përsëritura, skuadra e Tiranës do të luajë 15 ndeshje pa praninë e tifozëve, ndërkohë që është gjobitur edhe me 500 mijë lekë.

Të enjten, ndeshja Vllaznia-Tirana u ndërpre 2 herë, pasi tifozët e skuadrës së Tiranës protestuan ashpër për një 11-metërsh të padhënë. Në fund të ndeshjes, tifozët e të dyja skuadrave uzurpuan fushën e futbollit dhe e kthyen atë në një arenë gladiatorësh.

Bilanci i asaj ngjarjeje, që nuk mbahet mend prej 20 vitesh në stadiumin “Loro Borici”, u mbyll me disa të plagosur, me 35 të shoqëruar dhe disa milona lekë dëme materiale.

Ngrihet komisioni kundër dhunës
Shulku: Masa të rrepta ndaj atyre që prishin sportin

Pas shpalljes së vendimit të Komisionit të Disiplinës, sekretari i përgjithshëm i FSHF-së, Ilir Shulku ka deklaruar se, bashkë me Ministrinë e Sporteve, Policinë e Shtetit dhe Komitetin Olimpik do të krijohet një komision kundër dhunës, që do t’i rekomandojë ministres masat ndaj personave që nxisin dhunën.

“Këtë të hënë është mbledhja e parë e komisionit të luftës kundër dhunës pranë Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, ku do diskutohen gjerë e gjatë këto porpozime dhe do ketë masa më të ashpra në këtë pikë”, deklaroi Shulku.

Top Channel