Tirana fajeson shkodranet

12/09/2014 00:00

Administrator i Tiranës, Krenar Alimehmeti, ka fajësuar klubin shkodran për mosmarrjen e masave për zhvillimin e një ndeshjeje normale dhe, njëkohësisht, ka kërkuar nga komisionet në FSHF t’i japin fitoren në tavolinë skuadrës kryeqytetase.

“Nëse masat do të ishin marrë ashtu siç pretendon klubi Vllaznia, nuk do të kishte ndodhur asgjë dhe nuk ka asgjë të vërtet për akuzat, se sponsori i Tiranës është goditur nga tifozët e tij. Ne si klub kemi bërë edhe një reklamim në FSHF, për të kërkuar 3 pikët në tavolinë, për shkak të dështimit në përmbushjen e detyrimeve për organizimin e ndeshjes dhe garantimin e sigurisë e rendit para, gjatë dhe pas ndeshjes”, shprehet Krenar Alimehmeti, administrator i klubit Tirana.

Një ditë pas ngjarjes së shëmtuar në stadiumin “Loro Borici” të Shkodrës, kapiteni i Tiranës Ervin Bulku, protagonist në disa momente të ndeshjes së djeshme për të qetësuar tifozerinë bardheblu, tregon se gjithçka ndodhi nuk ka aspak lidhje me tifozerinë dhe aq më pak me qytetarinë e të dy qyteteve.

“Unë kam luajtur më parë në Shkodër, kthehem pas shumë vitesh atje. Sa herë kemi luajtur në atë qytet, s’ka rëndësi nëse kemi fituar, barazuar apo edhe të kemi humbur, tifozët vendas na kanë duartrokitur në të trija rastet nga tifozeria shkodrane. E kam thënë edhe më herët, nuk mund ta përfaqësojnë 5-6 veta apo 20 persona që bëjnë pjesë në të dyja palët, një qytet me tradita si Shkodra, apo Tiranën”, shprehet kapiteni i KF Tiranës, Ervin Bulku.

E megjithatë, priten penalizime të rënda sa i përket klubeve dhe tifozerive, në një nga momentet më të mira të këtij fillimsezoni, ku rivaliteti duket në nivelet më të larta.

“Shumë njerëz dhe shumë tifozë po vijnë në stadium. S’duhet t’i largojmë me këto ngjarje që ndodhën në Shkodër. Përkundrazi duhet t’i afrojmë sa më shumë ata, e jo t’i dënojmë. Thjesht të merren masat e duhura nga njerëz kompetentë. Edhe ata që japin lekët, edhe ne që kontribuojmë në fushë, edhe organizatorët e garës, të gjithë po përpiqemi të bëjmë më të mirën për t’i afruar njerëzit nëpër stadiume. Njerëzit po afrohen, por shpresoj të zgjidhet sa më shpejt kjo situatë”, deklaroi Ervin Bulku.

Një situatë e pakëndshme, që sigurisht do të sjellë penalizime të rënda financiare për sa u përket klubeve, dhe mungesë për tifozeritë.

Në bazë të rregullores së Kodit të Disiplinës, në Federatën shqiptare të Futbollit, nenet që përfshijnë klubet dhe tifozeritë janë të shumta.

Megjithatë, më kryesorja është zhvillimi i ndeshjeve pa tifozë. Skuadra shkodrane, në pamje të parë, është edhe pala më e prekur nga gjithçka, pasi është skuadra organizatore dhe si e tillë ka dështuar në marrjen e masave për mbarëvjajtjen normale të ndeshjes.

Si rrjedhojë, minimumi rrezikon zhvillimin e 4 ndeshjeve pa tifozë, në rastin më të mirë, dhe në atë më të keqin, pezullimin dhe luajtjen e disa ndeshjeve në fushë asnjanëse.

Po ashtu, minimalisht me 4 ndeshje pa tifozë pritet të penalizohet edhe Tirana, në bazë të rregullores, dhe kur i hedh një sy kalendarit, sheh që derbi i kryeqytetit, i cili luhet më 27 Shtator, mund të luhet me një “Qemal Stafa” të boshatisur.

Top Channel