Dhuna ne Shkoder, 19 te plagosur

12/09/2014 00:00

“Një ditë pas sherrit mes dy tifozerive, pamjet në stadiumin ‘Loro Boriçi’ të ngjasojnë me një fushëbetejë. Ndërkohë, lidhur me këtë ngjarje, sot janë arrestuar 12 persona dhe 41 të tjerë po ndiqen të lirë”.

Pasojat e dhunës së një dite më parë janë ende prezent në shkallët e stadiumit “Loro Boriçi”, në Shkodër.

Pjesa më e madhe e karrigeve janë shkulur dhe hedhur në pistën rreth saj, gjatë përleshjes mes tifozëve. Vetëm fusha është mundur të pastrohet nga punonjësit e stadiumit, në mënyrë që t’i jepet mundësi ekipit të Vllaznisë të vijojë stërvitjen.

Sipas përgjegjësit të stadiumit, ngjarja e djeshme nuk mbahet mend të ketë ndodhur ndonjëherë në Shkodër, ndërsa dëmet janë shumë të mëdha.

“Kam 15 vjet që punoj në këtë stadium dhe asnjëherë tifozët jabanxhinj s’e kanë bërë këtë rrëmujë që kanë bërë tifozët e Tiranës. Por, më shumë më vjen keq se Curri dhe BUlku kanë thyer xhamin e dhomës së tyre. Dëmet janë të konsiderueshme, janë thyer shumë stola, karrige të VIPave dhe këtu para nesh shihet që s’ka mbetur stol në vend. Na vjen keq që presidenti Halili ka thënë se e kanë gjuajtur tifozët e Shkodrës, ne kemi fakte të filmuara, që presidenti Halili është goditur nga tifozët e vet”, u shpreh Mark Sterkaj, përgjegjës i stadiumit.

Mbrëmë, policia shoqëroi 53 persona dhe 12 prej tyre janë arrestuar në kushtet e flagrancës, një është në kërkim dhe 41 tifozë do ndiqen penalisht në gjendje të lirë. Për të gjithë të ndaluarit janë siguruar provat, kryesisht pamje filmike të regjistruara gjatë dhunës në ndeshjen e Vllaznisë me Tiranën.

Në spitalin rajonal, deri në mesnatë janë paraqitur 19 persona, e kanë kërkuar ndihmë mjekësore për shkak të plagëve të marra, ndërsa numri i personave të lënduar mendohet të jetë shumë më i madh. Mes të lënduarve, që kërkuan ndihmë, ka pasur edhe katër raste të qëlluar me mjete të mprehta, si thika.

“Ka me dëmtime në pjesë të ndryshme të trupit, me plagë, ndërsa ka edhe 4 persona me plagë nga armë të ftohta. Të gjithë kanë marrë trajtimin e nevojshëm dhe janë drejtuar për në banesat e tyre. Janë nga Shkodra dhe Tirana, nuk ka diferencime në këtë mes”, deklaroi mjeku Ylber Zama.

Policia dhe Prokuroria po vijon hetimet për të gjetur edhe persona të tjerë, të përfshirë në aktet e dhunës mes dy tifozerive, një pjesë e të cilëve sulmuan edhe forcat e rendit.

Top Channel