Basketboll, SHBA-ja në finalen e Botërorit

12/09/2014 00:00

Deri tani nuk ka pasur asnjë skuadër që t’i bëjë ballë për 40 minuta Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Botërorin e basketbollit që po zhvillohet në Spanjë. As për 30 minuta.

Kur ka mbetur për t’u luajtur vetëm finalja e madhe e Madridit, duket se as Serbia apo Franca (do të luajnë sot gjysmëfinalen mes tyre) nuk do të jenë të afta për të mposhtur lojtarët e NBA-së.

Të mbetet ndjesia se amerikanët e mundin kundërshtarin atëherë kur duan. Kaq e thjeshtë. Ndeshjet vendosen në ato pak minuta ku Amerika përqendrohet dhe shfaq në parket më të mirën: mbrojtjen agresive, vjedhjet e topit dhe shpejtësinë në sulm. Zakonisht këto minuta vijnë menjëherë pas pushimit të ndeshjes (perioda e tretë).

Në këtë periudhë kundërshtarët nisin të ndjejnë lodhjen e ndjekjes pikë për pikë në dy periodat e para dhe dorëzohen pa kushte.

E njëjta gjë ndodhi me Lituaninë, ekip që u mund me rezultatin 96-68 në një ndeshje ku pikëshënuesi më i mirë ishte Kyrie Irving me 18 pikë.

Top Channel