Partizani mposht kampionët

11/09/2014 00:00

Java e tretë në Superiore, përveç Vllaznia-Tirana, rezervoi edhe një tjetër ndeshje me interes tepër të lartë. Partizani priti në “Qemal Stafa” kampionët në fuqi të Skënderbeut.

Emiljano Vila u bë heroi i Partizanit në këtë 90 minutësh, duke shënuar golin e vetëm të takimit në minutat e fundit nga pika e bardhë e 11-metërshit.

Kjo ishte fitorja e parë në kampionat për të besuarit e Duros, të cilët vinin pas një barazimi dhe një humbjeje. Ndërkohë që Skënderbeu frenohet në kuotën e 6 pikëve, pasi për ta në kryeqytet rezultoi e vështirë të dilnin me pikë.

Kulminante rezultuan minutat e fundit të kësaj ndeshjeje. Vetëm 5 minuta para përfundimit gjërat u vështirësuan disi për Skënderbeun pasi mesfushori Marconi në vetëm pak minuta mori dy kartona të verdhë duke lënë korçarët me 10 lojtarë. Në minutën e 87-të Partizani duke përfituar edhe nga superioriteti numerik ishte shumë pranë golit, por goditja Fazlliut shkoi pak centimetra jashtë. Gjithsesi të kuqtë u shpërblyen vetëm pak sekonda më vonë teksa pas një kontakti mes Racic dhe Osmanit, arbitri Enea Jorgji akordoi penallti për skuadrën e Duros. Emiljano Vila nuk gaboi nga 11-metrat duke kaluar Partizanin në avantazh.

Ndeshja u ndoq nga një numër i madh tifozësh të Partizanit, të cilët kishin mbushur tribunën përkarshi të “Qemal Stafës”, por për t’u veçuar ishin edhe korçarët, të cilët kishin ardhur në një numër të konsideruar për të ndjekur në kryeqytet ekipin e tyre të zemrës.

Top Channel